Votimi i rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, transmeton Fol Drejt.
Shumica e kanë lavdëruar hapin e ndërmarr nga ekzekutivi, e të mbështetur edhe nga institucionet më të larta në vend.
Por për dy ish figura të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ky akt është shndërruar në një rast të mirë për ta ofenduar kryetarin e tanishëm të partisë së tyre: Lumir Abdixhikun dhe jo vetëm…
Skender Hyseni, ish zyrtar i lartë, në një reagim të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, shkroi ndër të tjera se:
“Askush nuk e ka vënë në dyshim karakterin ani-kushtetues të votimit, edhe në territorin e Kosovës, në një referendum të shtetit serb”, por veprimet e institucioneve të Kosovës manifestuan, sipas tij “qyqarllëkun e binomit Kurti-Osmani” si dhe i dhanë rast të shprehej “servilizmi e hipokrizia politike e Abdixhikut.”
Për Melihate Tërmkollin, ish zyrtare e lartë e shtetit dhe anëtare e vjetër e LDK-së, ka mjaftuar etiketa “servil” që ta përdorë si kundërpërgjigje ndaj Hysenit. Në fakt ajo nuk e kursen as Abdixhikun.
Në një postim të shkurtër në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shkruar:
“Servili i Hashimit e paska kritiku servilin e Albinit për servilizëm! Filozofi e randë kjo!”
Përtej këtyre përplasjeve, në opinionin publik, veprimet e ekzekutivit, legjislativit dhe përgjithësisht pengimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, po përshkruhet si një akt i lartë patriotik./FolDrejt/