Ish-presidenti amerikan, Barack Obama është shprehur për herë të parë në lidhje me ekzistencën e jashtëtokësorëve.
I ftuar në emisionin “The Late Show”, nga James Corden në CBS, Obama theksoi se nuk bëhet fjalë për praninë e jashtëtokësorëve në tokë, por për disa objekte fluturuese të paidentifikuara.
“E vërteta është se kur unë mora detyrën, pyeta për diçka të tillë. Atëherë doja të dija nëse kishte ndonjë laborator diku ku ne mbajmë alienët dhe anijet e tyre kozmike. Ata realizuan disa kërkime dhe arritën në përfundimin se diçka e tillë nuk ekzistonte”, u shpreh Obama me shaka.
Pavarësisht një shakaje të tillë, ish-presidenti i dha përgjigjes së tij nota serioze, duke u shprehur se ajo çfarë është e vërtetë në gjithë këtë histori është fakti se “ekzistojnë disa filmime që kanë regjistruar disa objekte fluturuese në qiell, që ne nuk e dimë saktësisht se çfarë janë ato”.
“Ne nuk kemi arritur dot të shpjegojmë mënyrën e lëvizjes, trajektoren që ndjekin gjatë kohës së fluturimit. Ato objekte fluturuese nuk lëvizin sipas një modeli që mund të shpjegohet lehtë. Unë mendoj se njerëzit e marrin shumë seriozisht, duke u përpjekur të hetojnë dhe kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë”, tha ai.