Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëri thirrje sot qeverive dhe autoriteteve lokale që të krijojnë një sistem të fortë mbikëqyrjeje për njerëzit që janë më të rrezikuar nga simptomat serioze për shkak të valës së të nxehtit që ka kapluar hemisferën veriore.
Personat me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore dhe diabeti, si dhe gratë shtatzëna, fëmijët dhe të pastrehët, konsiderohen si më të rrezikuarit nga valët e të nxehtit që kanë përfshirë pjesë të Evropës, Azisë dhe SHBA-së këtë javë, raporton Reuters.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për ata që janë më të cenuarit. Është e qartë se valët e të nxehtit mund të përkeqësojnë të gjitha ato sëmundje ekzistuese më parë”, tha drejtoresha e departamentit për shëndetin publik, mjedisin dhe përcaktuesit socialë në OBSH, Maria Neira./FolDrejt/