Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka miratuar sot vaksinën Sinopharm të Kinës kundër COVID-19 për përdorim urgjent, duke e bërë më të lehtë për vendet e varfëra që të kenë qasje në një injeksion tjetër shumë të nevojshëm për të ndihmuar në përfundimin e pandemisë.
Miratimi lejon që vaksina Sinopharm të përfshihet në COVAX, e cila është një iniciativë globale e OBSH-së e krijuar për të promovuar shpërndarjen e paanshme të vaksinave në të gjithë botën, ku bënë pjesë edhe Kosova.
Vendet e pasura po grumbullojnë doza, ndërsa India, prodhuesi kryesor i vaksinave, ka ndaluar eksportet për shkak të krizës së shkaktuar nga vala e dytë e pandemisë.
Mundësia e marrjes së vaksinave mund të përmirësohet më tej javën e ardhshme kur OBSH-ja do të konsiderojë përdorimin e një vaksine tjetër kineze të bërë nga Sinovac, transmeton Telegrafi.
Për Kinën, miratimi shënon kulmin e përpjekjeve diplomatike mbi vaksinat dhe ofron një mundësi për të mbushur boshllëkun e lënë nga vendet perëndimore dhe kompanitë farmaceutike në vendet e varfra.
Sinopharm është vaksina e parë kineze që klasifikohet nga OBSH-ja si e sigurt dhe efektive dhe miratimi i tyre mund të qetësojë shqetësimet në lidhje me mungesën e transparencës së prodhuesve kinezë.
Agjencitë rregullatore në Kinë dhe vendet e tjera kanë miratuar vaksinën Sinopharm në muajt e fundit, megjithëse kompania nuk ka lëshuar të dhëna nga faza e tretë e një prove klinike në mënyrë që shkencëtarët të vlerësojnë në mënyrë të pavarur rezultatet.
OBSH-së iu dha qasja në këto të dhëna para miratimit, por ka të dhëna të kufizuara se sa do të funksionojë vaksina kundër shumë varianteve të koronavirusit që po shfaqen në të gjithë botën.