Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se nivelet e vaksinimit në Evropë janë ende larg nga ajo që nevojitet për të ndaluar një ringjallje të virusit dhe u bëri thirrje vendeve të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse.
“Mbulimi i imunizimit nuk është i mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga një ringjallje e virusit. Mbulimi 80% i imunizimit të popullsisë është ende larg”, paralajmëroi drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Ai u bëri thirrje kombeve të shmangin përsëritjen e “gabimit” të verës së kaluar kur masat u liruan para kohe. Kluge paralajmëroi se kontinenti “nuk ishte aspak jashtë rrezikut” në betejën kundër COVID-19 pavarësisht nga një rënie e qëndrueshme e normave të infeksioneve në javët e fundit.
“Me grumbullimet sociale në rritje e lëvizjen më të madhe të popullsisë dhe festivalet e turnetë sportivë që ndodhin në ditët dhe javët e ardhshme, OBSH në Evropë bën thirrje për kujdes. Nëse vendosni të udhëtoni, bëjeni me përgjegjësi. Jini të vetëdijshëm për rreziqet. Zbatoni arsyen e shëndoshë dhe mos rrezikoni”, tha kreu evropian i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge një konferencë shtypi.
Gjatë dy muajve të fundit, rastet e reja COVID-19, vdekjet dhe shtrimet në spital kanë rënë, duke bërë që 36 nga 53 vendet e rajonit të fillojnë zbutjen e kufizimeve.
“Ne të gjithë duhet të njohim progresin e bërë në shumicën e vendeve në rajon, duhet gjithashtu të pranojmë se nuk jemi aspak jashtë rrezikut”, shtoi ai.