Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka thënë se dhjetë milionë njerëz, ose rreth një e katërta e popullsisë së Ukrainës, mund të vuajnë nga një çrregullim i shëndetit mendor si pasojë e luftës ruse në Ukrainë, shkruan Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“OBSh vlerëson se deri në 10 milionë njerëz janë në rrezik nga një formë e një çrregullimi mendor, që varion nga ankthi dhe stresi në kushte më të rënda”, tha Jarno Habicht, përfaqësuesi i OBSh-së në Ukrainë.
Kushtet më të rënda përfshijnë çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) të shkaktuar nga ngjarje shqetësuese.
Rastet po rriten pas dhjetë muajsh lufte, duke bërë që një agjenci e veçantë e OKB-së të nisë shërbime mbështetëse në internet.
Sipas raportit, sistemi i kujdesit shëndetësor i Ukrainës ka qenë nën presion që kur Rusia nisi pushtimin në shkurt.
Sipas OBSh-së, deri më tani, ka pasur të paktën 700 sulme në sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit dhe rritja e sulmeve të Rusisë në infrastrukturën kritike që nga tetori i ka shtuar sfidat duke shkaktuar ndërprerje të trajtimeve. /FolDrejt/