Bota nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, tha të mërkurën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke u kërkuar vendeve që të vazhdojnë përpjekjet e tyre kundër virusit që ka vrarë mbi gjashtë milionë njerëz.
“Ne nuk jemi ende atje. Por fundi po duket në horizont”, u tha gazetarëve drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale për shtyp.
Komenti ishte më optimisti nga agjencia e OKB-së që kur e shpalli COVID-19 një emergjencë ndërkombëtare në janar të vitit 2020 dhe filloi ta përshkruajë atë si një pandemi në mars 2020.
Virusi, i cili u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019, ka vrarë afro 6.5 milionë njerëz dhe ka infektuar 606 milionë, duke tronditur ekonomitë globale dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.
Përhapja e vaksinave dhe terapive ka ndihmuar në frenimin e ashpërsisë së sëmundjes. Vdekjet nga COVID-19 javën e kaluar ishin më të ulëtat që nga marsi 2020, raportoi OBSh.