Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten globalisht me ritme shqetësuese, ndërsa vuri në dukje se numri i rasteve të reja të konfirmuara në javë është dyfishuar gjatë dy muajve të fundit.
Ai deklaroi se numri i rasteve të reja “po i afrohet shkallës më të lartë të infeksionit që kemi parë deri më tani gjatë pandemisë”.
Tedros tha se disa vende që kishin arritur të mbanin në kontroll përhapjen e COVID-19, tani po raportonin rritje të rasteve.
“Papua Guinea e Re është një shembull i përsosur pse shpërndarja e barabartë e vaksinave është kaq e rëndësishme”, theksoi kreu i OBSH, duke shtuar se vendi është mbështetur në dozat e vaksinave të dhuruara nga Australia dhe iniciativa COVAX e mbështetur nga OKB.
Deri më tani, COVAX ka dërguar rreth 40 milion vaksina në më shumë se 100 vende.