Oda e Avokatëve të Kosovës ka pranuar njoftimin se anëtarësia e saj pranë Konferencës Ndërkombëtare të Odave të Avokatëve me seli në Paris, Francë është pranuar me unanimitet votash nga Këshilli Administrativ i kësaj Konference.
Njoftimin Oda e Avokatëve të Kosovës e ka pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës, Bernard Vatier.
“Konferenca Ndërkombëtare e Odave të Avokatëve (CIB) është strukturë kooperimi në mes të Odave të Avokatëve të vendeve me traditë juridike të përbashkët të drejtës romake dhe kryesisht frankofone. Duke respektuar pavarësinë e Odave, Konferenca synon të zhvilloj pavarësinë dhe solidaritetin i cili i bashkon, të mbroj dhe promovoj të drejtat e mbrojtjes dhe rregullat e barazisë së palëve në procedurë, ndihmoj harmonizimin dhe respektin e rregullave të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe kodit të etikës si dhe promovimin e të drejtave të Njeriut, Shtetit të së drejtës, vlerat e drejtësisë dhe menaxhimit të mirë.
Sot, ky organ, strukturë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF) bashkon mbi njëqind Oda të Avokatëve në 45 shtete të ndryshme për të afirmuar idealin e pavarësisë së Odave dhe organet udhëheqëse të të cilave janë të zgjedhura në mënyrë demokratike nga vet avokatët”, thuhet në njoftimin për media.
Konferenca Ndërkombëtare e Odave të Avokatëve (CIB) u themelua me 29 Nëntor 1985 nga avokatët pranë Gjykatës së Apelit në Paris, nën presidencën e Kryetarit të kësaj Ode, Guy Danet, në prezencën e Ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Robert Badinter dhe Mario Statsi si dhe përfaqësuesve të 24 Odave të Avokatëve të vendeve frankofone.
Aderimi i Odës së Avokatëve të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Odave të Avokatëve (CIB), erdhi me iniciativën e grupit të avokatëve frankofon të OAK të udhëhequr nga avokati Vigan Rogova dhe pas kërkesës zyrtare të kryetarit të saj Osman Havolli dhe ndihmës së Ambasadës së Francës në Kosovë.
Ky aderim i hap mundësi të mëdha avokatëve kosovar në shkëmbimin e përvojave profesionale me vendet tjera frankofone si dhe krijimin e urave lidhëse në fushën e avokatisë me këto vende.