Ode e Mjekëve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj numrit dy të qeverisë, Besnik Bislimit, pasi që ky i fundit ka deklaruar se mjekët nuk largohen vetëm nga Kosova por edhe nga Gjermania.
Në reagimin e tyre thuhet se ata si mjekë janë të zhgënjyer me këtë krahasim të Bislimit, pasi që në kushtet që punojnë mjekët, me pasiguri sociale dhe më vështirësitë e ndryshme, ky krahasim i zëvendëskryeministrit është mohim i, siç e quajnë ata, një gjendje të rendë në të cilën është sistemi shëndetësor.
“Duke qenë se si organizatë profesionale e cila përmes kompetencave ligjore dhe organeve administrative vrojtojmë gjendjen e personelit mjekësor, Oda e Mjekëve të Kosovës shprehë zhgënjim ndaj deklarimeve të zv. Kryeministrit Besnik Bislimi. Në kushtet që punojnë mjekët kosovar, pasigurinë sociale të cilën ballafaqohen për çdo ditë, vështirësitë nga më të ndryshimet, përfshirë këtu edhe rrezikshmëria në vendin e punës, të thuhet se mjekët kosovar migrojnë në Gjermani për shkak se mjekët gjerman braktisin Gjermanin, është mohim i gjendjes së rendë kronike dhe akute njëkohësisht” thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se nëse ky fenomen i ikjes së mjekëve do të vazhdojë atëherë në do të vijmë në një situatë ku as përqindja minimale e mjekëve për kokë banori nuk do të plotësohet.
Po ashtu, në reagim tregohet se, edhe pse një numri i madh i mjekëve po largohen nga vendi, në Kosovë janë mbi 500 mjekë të papunësuar, dhe që situata do të bëhet edhe më e rëndë kur brenda 10 vitesh 1300 mjek specialist do të pensionohen, që i bie rreth 40% e mjekëve që tani punojnë në sistemin shëndetësor.
“E kjo paraqitet si anakronike me situatën në të cilën gjendemi e ku aktualisht janë mbi 500 mjekë ta pa punësuar. E kësaj duhet shtuar se nga sektori publik në mënyrë sistematike janë duke u larguar mjekët më me përvoje të sistemit, si dhe fakti se brenda 10 vitesh do të pensionohen mbi 1300 mjekë specialist, pra dikund mbi 40% e mjekëve specialist që janë në sistem” shtohet në komunikatët.