Në Dita botërore e Veterinerëve, në Kosovë Oda e Veterinerëve e Kosovës e gjen pa ligj duke funksionuar si një OJQ.
Edhe pse është një ndër odat e para pas lufte, në vitin 2004, që nga ajo kohë e deri tani kanë kaluar mbi 18 vite dhe ende kërkon të regjistrohet me ligj. Kështu ka thënë anëtari i kësaj Ode Dardan Pozhegu në një emision të KTV.
Ndonëse Oda ka kërkuar që të bëhet me ligj dhe të mos jetë më me statusin e një OJQ, deri më tani nga asnjë mandat qeverisës nuk ka marrë përgjigje pozitive. OVK në qershor të vitit të kaluar është pritur në një takim në ministrinë e bujqësisë ku është shtruar çështja e ligjit. Por që nga ajo e deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Ndërsa Kryetarja e komisionit për bujqësi zonja Fitore Pacolli ka bërë një takim me OVK në muajin dhjetor dhe ka premtuar që komisioni do të jetë sponsorizues i këtij ligji dhe jo ministria, mirëpo kanë kaluar pesë muaj dhe nuk kemi akoma përgjigje.
“Në vazhdimësi Oda kërkon dhe takime, mirëpo ajo nuk ftohet dhe nuk përgjigjen në takimet dhe ftesat tona. Është një fatkeqësi që kjo po zgjatet, sepse veterinerët tanë nuk mund të aftësohen në vazhdimësi pa ligj përmes së cilës bëhet certifikim të veterinerëve, ndërsa sot në ditët e sotit akoma tek ne certifikohen vetëm klinikat veterinare dhe veterinerët nuk certifikohen si profesionistë në fushën e tyre”, tha Pozhegu.
Sipas tij, ky vakum ligjor, po ndikon negativisht në aftësimin e veterinerëve.
“Kjo bënë që ne të jemi të pakënaqur me situatën që jemi deri tash edhe po shpresojmë që kjo qeveri do të jetë e fundit që ne do të kërkojmë për të bërë OVK me ligj”.
Aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë veterinerë të certifikuar në mungesë të ligjit tash e 18 vite që nga themelimi i Odës.
“AUV, kur te licencon një klinikë veterinere për të punuar, e licencon vetëm klinikën si objekt, ndërsa ne si veteriner nuk kemi certifikim profesional për të punuar dhe është një fatkeqësi, është një mungesë shumë e madhe e punës. D.m.th., i vetmi profesion që është shumë me rëndësi në vend, nuk është i licencuar si profesionist secili veç e veç, mirëpo licencohen veç objektet”, thotë Pozhegu.
Kjo nënkupton që veterinerëve u mohohet të punojnë në mungesë të licencës si profesionist.
Megjithatë OVK shfaq shpresën pas gjithë këtyre viteve do të hartohet ligji i cili do tu mundësojë veterinerëve profesionist të punojnë e të mos ndalet zinxhiri i punëve shtetërore sidomos i kontrollit të ushqimit shtazor.
“Veterinerët janë ata që ua sjellin një ushqim shtazor të shëndetshëm në tavolinë, janë ata që kontrollojnë edhe pikat kufitare për të bërë të mundur importin e produkteve ushqimore, kështu që kanë një rol shumë me rëndësi në punën dhe mbarëvajtjen ditore të jetës së qytetarëve”, tha Pozhegu.
Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje pse kjo neglizhencë edhe pas shumë premtimeve përgjatë këtyre viteve.
“Kërkesat tona janë të vazhdueshme. Është koha e fundit pas 18 vite të krijimit të një OJQ-je, që edhe kërkesës që mundësohet krijimi me ligj dhe veterina do të avancoj edhe më shumë se sa që është tani”.
I pyetur se sa ftohet OVK në takime dhe sa merren parasysh ata, Pozhegu tha se shumë pak edhe ftohet në takime zyrtare për të dhënë mendimit e tyre, ndoshta edhe për të dhënë vulën e veprimit në lidhje me kafshët dhe kjo është një tjetër problematikë e cila po ndodh tash e sa kohë që OVK nuk e ka ligjin dhe nuk e ka forcën për të jap mendimin e tyre vendimtar se si duhet të realizohet një punë.
“Ndoshta kjo është edhe interes i dikujt që OVK të mos krijohet me ligj dhe të ketë mundësi për manipulime dhe forca e ligjit mos të jetë në anën e odës që mos të ketë mundësi t’i realizoj punët ashtu siç duhet”.
Oda e Veterinerëve të Kosovës ka bashkëpunime me të gjitha odat në Evropë dhe më tej, mirëpo marrim gjithmonë rekomandime prej tyre se si duhet të zgjidhen problemet, sepse jemi ata të cilët komunikojmë shumë më lehtë dhe jemi ata të cilët i marrim informacionet ma të sakta se si duhet të bëhen dhe ato vijnë tek ne sepse jemi profesionist për të realizuar këtë punë dhe më kompetentë duhet të jemi për atë.
”Qytetarët e dinë rolin e veterinerit, ndoshta më shumë se qeveria sepse secili qytetar i Kosovës ka pasur kafshë blegtorale dhe e dinë se sa e rëndësishme është që ta ketë një veteriner të mirë afër, çfarë problemi kanë zgjidh në lidhje me shëndetin e kafshëve dhe sa familjar dhe sa të shoqërueshëm kanë qenë me ta, sepse e kanë pas një interes shumë të madh prej tyre duke e ditur rëndësinë e tyre. Mirëpo për fat njerëzit që na përfaqësojnë në pushtet si duket nuk po e dinë rëndësinë e mjaftueshme të rolit të veterinerëve. Gjithmonë qytetarët i kanë përkrahur veterinerët edhe gjithmonë kanë qenë në komunikim me ta dhe ata janë të vetëdijshëm se veterinerët janë ata që mund ta kryejnë punën më së miri për çdo problem me kafshët, por problemi mbetet te qeveria”, tha Pozhegu.
Pavarësisht kësaj Oda vazhdon të mbajë bashkëpunim me organizatat simotra në shumë vende, por vetëm në komunikim verbal pasi në mungesë të ligjit nuk mund të sforcojnë bashkëpunimin në planin profesional.
“Kështu që ndoshta këto bashkëpunime do të ishin shumë më të mira dhe më efikase sikur oda të bëhej me ligj”.
Po ashtu një problem tjetër që ka spikatur Pozhegu është se OVK nuk ka mundësi të ndëshkojë veterinerët ose të parandalojë ndonjë dëm që mund të shkaktohet në mungesë ligji.
“Në përgjithësi kontaktet janë vullnetare edhe veterinerët që kanë nevojë odën e kontaktojnë për këshilla se si është më së miri të realizohet një punë. OVK është në kontakt të vazhdueshëm dhe shumë të ngushtë me AUV ku së bashku realizojnë projekte të ndryshme, por prapë se prapë edhe ato nuk janë të mjaftueshme, sepse edhe AUV vullnetarisht komunikon dhe i realizon projektet me odën, mirëpo nuk e ka ndoshta të detyrueshme me ligj që ato patjetër t’i merr nga OVK dhe në bazë të takimeve të ekspertëve të odës, kështu që çdo gjë realizohet në mënyrë vullnetare dhe me dashamirësi për të bë punën sa më mirë. Edhe veterinerët janë të njoftuar për këtë punë dhe nuk hezitojnë që odën ta konsiderojnë primare dhe një lloj kulmi për të bë bashkëpunime më të mira, mirëpo akoma me ligj nuk është që ka aq forcë për të vepruat në terren”, tha Pozhegu.
Të shtunën e fundit të muajit prill, shënohet dita Botërore e Veterinarisë.