Pavarësisht situatës kritike në të cilën ndodhet vendi dhe bota, është shumë e rëndësishme që të merret një rol proaktiv në zvogëlimin sa më të madh të dëmeve ekonomike që do të vijnë në të ardhmen.
“Kjo u konkludua sot gjatë një forumi virtual me transmetim direkt të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin, të cilin e moderoi ndërmarrësi Valon Canhasi nga Hallakate.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh se krahas efektit shëndetësor të pandemisë globale COVID-19, diskursi duhet të fokusohet domosdoshmërisht edhe në shëndetin ekonomik të vendit, meqë në mungesë të informatave mbi kohëzgjatjen e situatës ekzistojnë gjasa reale për krizë ekonomike.
Sipas tij, kufizimet e veprimtarisë së disa bizneseve, edhe pse si masë preventive e nevojshme, kanë rezultuar në shqetësim të një pjese të madhe të punëtorëve të cilët mbijetesën e familjes e kanë të varur nga rroga që e marrin në sektorin privat”, thuhet në njoftimin për media.
Ahmeti potencoi se pushteti qendror duhet të ia lejojë pushtetit lokal ndryshimin e destinimit të investimeve kapitale në subvencione gjersa theksoi se në këtë fazë Qeveria duhet të kuptojë se nuk është e vetme, dhe të bashkëpunojë me akterë të ndryshëm për të gjeneruar stimuj të ndryshëm ekonomik. Për më tepër, ai sugjeroi që edhe një përqindje e buxheteve të komunave të alokohet në ndihmë ekonomike. Kryetari Ahmeti e përgëzoi punën e Odës Ekonomike Amerikane si dhe odave të tjera për rolin e tyre aktiv në përcjelljen e nevojave të sektorit privat në këto kohë të pazakonta.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se përkrahja e sektorit privat është kyçe për mbrojtjen e ekonomisë së vendit, e cila në mënyrë direkte afekton edhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë situatë me shumë të panjohura është esenciale që çdo vendim, e sidomos ata të kontekstit ekonomik të merren me kujdes të shtuar.