Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK) përmes një deklarate ka thënë se po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend, raporton Fol Drejt.
“Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK) po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.”, shkruan në reagimin e OEGjK-së.
Në komunikatë thuhet se anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes.
“Lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes. U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik.”, shkruan në fund të reagimit. /FolDrejt/