Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka paralajmëruar se pabarazitë në qasjen dhe cilësinë e arsimit në mbarë botën me shpejtësi po bëhen “ndarës i madh”.
Në një samit arsimor në selinë e OKB-së në New York, Guterres theksoi se përafërsisht 70 për qind e 10-vjeçarëve në vendet më të varfra nuk mund të lexojnë tekste bazë, ndërkohë që në vendet e zhvilluara “sistemet arsimore shpesh vendosin rrënjë në vend që të reduktojnë pabarazinë, duke e riprodhuar atë ndër gjenerata”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Të pasurit kanë qasje në burimet, shkollat dhe universitetet më të mira, që çojnë në vendet më të mira të punës, ndërsa të varfrit, veçanërisht vajzat, përballen me pengesa të mëdha për të marrë kualifikimet që mund t’ua ndryshojnë jetën”, tha Guterres.
Sipas tij, shumë shpesh programet mësimore janë të vjetruara dhe të kufizuara, sistemet arsimore marrin pak parasysh të mësuarit gjatë gjithë jetës, si dhe mësuesit janë të nën-trajnuar, të nën-vlerësuar dhe të nën-paguar.
Shefi i OKB-së tha se kriza nuk do të zgjidhet duke ruajtur ‘status quo’-në, si dhe bëri thirrje për transformim të sistemeve arsimore në të gjithë globin dhe liderëve botëror u kërkoi të mblidhen për Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të OKB-së që të marrin parasysh paralajmërimin e tij.
“Le të sigurojmë që studentët e gjeneratave të sotme dhe të ardhshme të kenë qasje në arsimin që u nevojitet për të krijuar një botë më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe paqësore për të gjithë, për vajzat dhe djemtë”, u shpreh Guterres./FolDrejt/