Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) e lidhur me Kombet e Bashkuara (OKB) tha se bota mund të përballet me temperatura rekord të ajrit në vitet 2023-2027, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Në një raport të WMO-së, thuhet se emetimet e gazeve serrë dhe ngjarja meteorologjike “El Nino” kanë rritur tutje temperaturat e ajrit.
Në raport thuhet se ekziston një probabilitet 98 për qind që të paktën një nga vitet 2023 deri në 2027 të jetë viti më i nxehtë dhe që të pesë vitet në fjalë të jenë një periudhë kur temperaturat globale do të arrijnë nivele rekord.
Me një probabilitet 66 për qind, temperatura mesatare vjetore e ajrit afër sipërfaqes do të jetë të paktën 1,5 gradë më e lartë se para revolucionit industrial, thekson raporti.
Më tej theksohet se temperaturat e ajrit mund të ndikojnë në reshjet e shirave në pjesë të ndryshme të botës, të cilat mund të rriten ose ulen rajonalisht.
Sipas raportit, emetimet e gazrave serrë shkaktojnë gjithashtu ngrohjen dhe acidifikimin e oqeaneve, shkrirjen e akullnajave, ngritjen e nivelit të detit dhe ngjarje ekstreme të motit.
Sekretari i Përgjithshëm i WMO-së, Petteri Taalas, ka deklaruar se temperaturat rekord do të lënë pasoja të mëdha për shëndetin, sigurinë ushqimore, menaxhimin e ujit dhe mjedisin.
Taalas ka paralajmëruar për nevojën për të qenë të përgatitur për këto pasoja.