Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka deklaruar se marrëveshja e sapo ndërmjetësuar për të lehtësuar eksportet e drithërave ukrainase është një “rreze e shpresës” për ata që vuajnë nga uria në mbarë botën.
“Sot, më në fund kemi një rreze të shpresës, një rreze të shpresës për të lehtësuar vuajtjet njerëzore dhe për të lehtësuar urinë në mbarë botën, një rreze e shpresës për të mbështetur vendet në zhvillim dhe njerëzit më të cenueshëm, një rreze shprese për të sjellë një masë të stabilitetit shumë të nevojshëm për sistemin global të ushqimit”, tha Guterres në selinë e OKB-së në New York, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Komentet e shefit të OKB-së erdhën vetëm disa minuta pasi ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, njoftoi se zyrtarët turq, ukrainas, rus dhe të OKB-së ranë dakord për të formuar një qendër koordinimi në Istanbul për të lehtësuar eksportet e drithërave ukrainase.
Akar tha se pjesëmarrësit gjetën një gjuhë të përbashkët mbi çështjet teknike, si siguria e lundrimit në rrugët e transportit, si dhe kontrollet e përbashkëta në hyrje dhe dalje të porteve.
Javën e ardhshme, shtoi ministri turk, përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë do të mblidhen në Türkiye për të shqyrtuar detajet e marrëveshjes dhe gjithashtu për të nënshkruar dokumentet përkatëse, duke e bërë marrëveshjen zyrtare./FolDrejt/