Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dënoi testin e raketës balistike të Koresë së Veriut të enjten, sipas një deklarate nga zëdhënësi i tij, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Sekretari i Përgjithshëm dënon fuqishëm lëshimin e një tjetër rakete balistike me rreze të gjatë veprimi nga Republika Popullore Demokratike e Koresë”, tha Stephane Dujarric.
Guterres përsëriti thirrjet e tij që Koreja e Veriut të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare sipas të gjitha rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit.
Guterres ftoi Korenë e Veriut të “rihapë kanalet e komunikimit dhe të rifillojë dialogun që çon në paqe të qëndrueshme dhe denuklearizimin e plotë dhe të verifikueshëm të Gadishullit Korean”, thuhet në deklaratë.
Koreja e Veriut njoftoi lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale të enjten në mëngjes për të “rrënjosur frikën te armiqtë” pas afrimit të Koresë së Jugut me Japoninë dhe stërvitjeve të saj të përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa u hodh nga afër kryeqytetit të Koresë së Veriut Pheniani rreth orës 7:23 të mëngjesit të së enjtes dhe u ul në ujërat midis Gadishullit Korean dhe Japonisë, duke e quajtur atë një “provokim të rëndë”.
Raketa arriti 6,045 kilometra lartësi dhe udhëtoi për gati 1,000 kilometra përpara se të binte në ujërat e hapura në bregdetin lindor të vendit, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të lajmeve. /FolDrejt/