Koreja e Veriut po rrit shtypjen e saj ndaj të drejtave të njeriut dhe njerëzit po bëhen më të dëshpëruar dhe thuhet se po vdesin nga uria në disa pjesë të vendit ndërsa situata ekonomike përkeqësohet, tha të enjten shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, raporton AP.
Volker Türk tha në takimin e parë të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga viti 2017 mbi të drejtat e njeriut të Koresë së Veriut se në të kaluarën populli i saj ka kaluar periudha të vështirësive të rënda ekonomike dhe represionit, por “aktualisht ata duket se po i vuajnë të dyja”.
“Sipas informacioneve tona, njerëzit po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruar pasi tregjet informale dhe mekanizmat e tjerë të përballimit po shpërbëhen, ndërsa frika e tyre nga mbikëqyrja, arrestimi, marrja në pyetje dhe ndalimi nga shteti është rritur,” tha ai.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mbylli kufijtë e kombit të tij të Azisë verilindore për të kontrolluar COVID-19. Por ndërsa pandemia është zbehur, Türk tha se kufizimet e qeverisë janë rritur edhe më shumë, me rojet e autorizuara të qëllojnë çdo person të paautorizuar që i afrohet kufirit dhe me pothuajse të gjithë të huajt, përfshirë stafin e OKB-së, ende të ndaluar nga vendi.