Kombet e Bashkuara (OKB) paralajmëruan se një krizë e ujit mund të përjetohet për shkak të konsumit të tepërt dhe ndryshimit klimatik.
Sipas lajmit të BBC-së, në raportin e përgatitur nga OKB-Uji dhe Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) thuhet se “mungesa është bërë endemike” për shkak të konsumit ekstrem dhe ndotjes dhe se rritja e temperaturës globale rrit mungesën e ujit sezonal, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Autori kryesor i raportit, Richard Connor tha se rreth 10 për qind e popullatës së botës jeton në rajone kritike në aspektin e “stresit për ujin”.
Pasi vuri theksin se 3.5 miliardë njerëz në të gjithë botën janë të prekur nga stresi i ujit, i cili përkufizohet si kërkesa për ujë që tejkalon furnizimin me ujë për të paktën një muaj në vit, Connor lidhur me kërkesën globale për ujë tha se janë rritur “pasiguritë”.
Ai paralajmëroi se do të përjetohet krizë globale e ujit nëse nuk qëndrojnë mbi problemin e kërkesës për ujë.
Usha Rao Monari, një prej folësve në “konferencën e ujit 2023 të OKB-së” që do të mbahet në New York më 22-24 mars nën kryesimin e OKB-së, në një intervistë për BBC deklaroi se tashmë burimet globale të ujit duhet të menaxhohen më me kujdes.
“Uji në botë është i mjaftueshëm nëse menaxhohet më mirë në krahasim me të kaluarën dhe se përdorimi i teknologjive të reja në këtë aspekt do të luajë rol të rëndësishëm”, tha ajo.
Në samitin të cilin zëvendës sekretari i përgjithshëm për Çështjet Ekonomike dhe Sociale (DESA) të OKB-së, Li Junhua e vlerëson si një mundësi “për të ndërmarrë veprime dhe për të diskutuar vështirësitë me përmasat e gjera që rrethojnë ujin” do të marrin pjesë mbi 6.500 persona, përfshirë presidentë dhe ministra nga vende të ndryshme./FolDrejt/