Delegacioni i Kombeve të Bashkuara (OKB) deri në fund të vitit do të shkojë për herë të dytë në Ukrainë për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut.
Zv/sekretarja e përgjithshme e OKB-së përgjegjëse për çështjet politike, Rosemary DiCarlo, në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha se ukrainasit në periudhën e fundit i janë nënshtruar bombardimeve më intensive të luftës 9-mujore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ajo njoftoi se komisioni përkatës i OKB-së deri në fund të vitit planifikon një vizitë të dytë për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Ukrainë.
DiCarlo vuri në dukje se në rast të vazhdimit të sulmeve situata në rajon mund të përkeqësohet në kushtet e dimrit. “Raketat dhe dronët kanë hedhur bomba mbi Kiev, Mykolaiv, Chernihiv, Cherkasy, Zhytomyr, Sumy, Kharkiv, Lviv, Poltava dhe vende tjera. Përderisa shkatërruan dhe dëmtuan shtëpitë gjithashtu shkaktuan ndërprerje të rënda të shërbimeve në rajon”, tha ajo.
Ajo gjithashtu tregoi se bombardimi që vazhdon në Ukrainë ka shkaktuar dëmtimin e rreth 40 për qind të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike të vendit dhe tërhoqi vëmendjen se në shumë vende të Kievit ka pasur 12 orë ndërprerje elektrike në ditë.
DiCarlo theksoi se sulmet që shënjestrojnë civilët dhe infrastrukturën civile janë të ndaluar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor për Ukrainën, vazhdon punën e tij mbi llogaridhënien për këto shkelje në fjalë me hetime të vazhdueshme brenda dhe jashtë Ukrainës. Komisarët po planifikojnë një vizitë tjetër në Ukrainë përpara fundit të vitit”, theksoi zëvendëssekretarja e Përgjithshme e OKB-së.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), sipas DiCarlo, vazhdon të dokumentojë shkeljet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë 57 raste të dhunës seksuale të identifikuara në Ukrainë.
Ajo shtoi se 48 prej tyre mund të konsiderohen të lidhur me forcat e armatosura ruse dhe grupet e lidhura me to.
Sipas OKB-së, në luftën Rusi-Ukrainë deri më tani kanë humbur jetën mbi 6.500 persona, ndërsa janë plagosur mbi 10 mijë./FolDrejt/