Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan sot se është vërejtur rritje e konsiderueshme e kultivimit të opiumit në Mianmar pas marrjes së kontrollit ushtarak në vitin 2021.
Në raportin e fundit, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) deklaron se kultivimi i opiumit është rritur me 33 për qind që nga marrja e kontrollit ushtarak në vendin e Azisë Juglindore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Sezoni i parë i plotë i rritjes që nga marrja e ushtrisë tregon rritje prej 33 për qind të tokës së punueshme në 40.100 hektarë dhe rritje prej 88 për qind në rendimentin potencial në 790 tonë. Pas rritjes së moderuar të tokës së punueshme prej 2 për qind dhe rendimentit prej 4 për qind gjatë vitit 2021, rezultatet për vitin 2022 konfirmojnë se në Mianmar është duke u zhvilluar një ekspansion i konsiderueshëm i ekonomisë së opiumit”, thuhet në raportin e UNODC-së.
Përfaqësuesi rajonal i UNODC-së, Jeremy Douglas tha se pengesat ekonomike, të sigurisë dhe qeverisjes pas marrjes së pushtetit nga ushtria i kishin lënë fermerët në zonat e thella të konfliktit të shtetit Shan dhe shtetet kufitare pa zgjidhje tjetër veçse t’i drejtoheshin opiumit.
Sipas raportit, rritja më e madhe në volumin e prodhimit u regjistrua në shtetin Shan, 39 për qind, i ndjekur nga shtetet Chin dhe Kayah me rritje prej 14 dhe 11 për qind ndërsa kultivimi në Kachin u rrit me një mesatare prej 3 për qind.
Çmimi që u paguhet fermerëve është rritur me 69 për qind gjatë vitit të kaluar në rreth 280 dollarë për kilogram.
“Rritja që po shohim në biznesin e drogës lidhet drejtpërdrejtë me krizën me të cilën po përballet vendi. Ndikimi në rajon është i thellë ndërsa vendet fqinje duhet të trajtojnë situatën dhe të marrin në konsideratë edhe opsionet e vështira”, tha Douglas.
Vlera rajonale e tregtisë së heroinës në Mianmar është rreth 2 miliardë dollarë.
“Pa alternativa dhe stabilitet ekonomik, ka të ngjarë që kultivimi dhe prodhimi i opiumit të vazhdojë të rritet”, tha Benedikt Hofmann, menaxher i UNODC-së për Mianmarin./FolDrejt/