Shefi i Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjet humanitare, Martin Griffiths, ka bërë të ditur se Siria veriperëndimore është në mes të një “numri shumë të lartë” të shpërthimeve të kolerës pas tërmeteve vdekjeprurëse që përkeqësuan një terren tashmë të tmerrshëm humanitar.
“Rreziku i sëmundjes po rritet mes shpërthimeve para-ekzistuese të kolerës. Çmimet e ushqimeve, shpenzimeve shtëpiake dhe artikujve të tjerë thelbësor po rriten”, tha Griffiths në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tre javë pasi tërmetet vdekjeprurëse të 6 shkurtit tronditën zona të gjera të Sirisë dhe Turqisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Griffiths tha se duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të rikthyer ujin e pijshëm për njerëzit e rajonit, që të trajtohet “kërcënimi i përhapur i kolerës në Sirinë veriperëndimore dhe më gjerë”.
Mbi 50 mijë persona humbën jetën në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve që rrëzuan mijëra ndërtesa dhe shkaktuan dëme të mëdha në të gjithë rajonin.
Në Siri, tha shefi i OKB-së për çështjet humanitare, qindra ndërtesa mbeten në rrezik të shembjes, me mijëra në qytetin Halep që potencialisht duhet të prishen.
“Natyrisht, shumë njerëz kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre që ende duhet të certifikohen për siguri”, tha Griffiths./FolDrejt/