Komisionarja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Michelle Bachelet, bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme të veprimeve ushtarake në provincën e Idlib-it në Siri, duke thënë se përpjekja e fundit për armëpushim akoma nuk kishte arritur të mbrojë civilët.
Më 10 janar, Turqia dhe Rusia u pajtuan për një armëpushim në rajonin e banuar nga rreth 3 milionë njerëz.
Ankaraja për vite me rradhe ka mbështetur rebelët sirianë, të cilët luftojnë për të mposhtur presidentin sirian, Bashar al -Asad. Rusia e përkrahë qeverinë e Asadit.
Dëshmitarët dhe burime nga ana e kryengritësve thanë se aeroplanët rusë dhe ata të forcave të Asadit kanë ndërmarrë sulme të reja në provincë.
Moska mohoi se po bombardon caqet ku gjenden civilët.
“Është thellësisht shqetësuese që civilët vriten çdo ditë përmes sulmeve me raketa, si nga ajri ashtu edhe nga toka”, tha Bachelet, përmes një deklarate.
Zyra e saj pranoi raporte se sulmet ajrore rifilluan më 15 janar, tha ajo.
Rreth 350.000 sirianë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Idlibi, që nga fillimi i dhjetorit 2019, duke kërkuar strehim në zonat kufitare pranë Turqisë, thanë Kombet e Bashkuara.