Gazprom njoftoi të martën se duhet të zvogëlojë sasitë e gazit natyror të dërguar përmes gazsjellësit Nord Stream, sepse disa pompa të gazit Siemens nuk u kthyen në kohë nga riparimi nga Kanadaja, e cila vendosi sanksione ndaj Rusisë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se qeveria e tij do të kujdeset për të eliminuar problemet teknike që mund të kufizojnë furnizimin me gaz përmes gazsjellësit Nord Stream.
“Aktualisht jemi duke u përballur me një ulje të sasisë së gazit që furnizohet Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore, për shkak të problemeve teknike. Mund të jetë një rastësi, por nuk ka pse të jetë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën me kujdes dhe bëjmë gjithçka që mundemi që të mos ekzistojë arsye teknike për këto kufizime”, tha Scholz për agjencinë gjermane DPA, transmeton Fol Drejt.