Kundërshtari i presidentit Alexander Lukashenko ka bërë thirrje për rinisjen e protestave masive këtë fundjavë, e cila përkon me festimet e “Ditës së Fitores” për t’i rikujtuar botës për shkeljet e aktuale të të drejtave të njeriut nga regjimi dhe rezistencën e vazhdueshme në vend.
Protesta të përmasave historike përfshinë vendin pas fitores së liderit Lukashenko në gusht të vitit 2020, zgjedhje të cilat u panë gjerësisht si të manipuluara.
Autoritetet u kundërpërgjigjën protestuesve me akte dhune dhe arrestime në masë, transmeton euronews.albania.
Në një intervistë për Euronews, kreu i opozitës Pavel Latushka bëri thirrje për protesta masive këtë të diel:
“Nga një anë, ky është një faktor për të treguar që ne nuk dorëzohemi, që nuk biem dakord me manipulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 9 gusht, me dhunën e ushtruar nga regjimi kundër bjellorusëve sot”.
“Gjithashtu, është shumë e rëndësishme për ne që të dërgojmë një sinjal komunitetit ndërkombëtar që bjellorusët nuk janë dakord me regjimin që ekziston sot në vendin tonë”.
“Nga ana tjetër, kjo është edhe një çështje ligjore pasi kjo është e vetmja mundësi ku ligji na lejon të marrim pjesë në një event masiv në territorin e Bjellorusisë, nuk kemi mundësi të tjera për ta bërë këtë”
Latushka e cilësoi persekutimin e opozitës në vend si “terrori më i tmerrshëm që Europa ka parë në 40 vite” dhe i bëri thirrje BE që të vendosë sanksione më të ashpra, të ngjashme me ato të Rusisë.
Deri më tani, Lukashenko ka injoruar thirrjet e vazhdueshme për negociata dhe për të shkuar në zgjedhje me kushtin që ato të jenë të lira dhe të ndershme, fundin e dhunës policore dhe lirimin e të burgosurve politikë.