Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, tha se Rusia nuk e sheh as Bjellorusinë e as Ukrainën si shtete të pavarura dhe sovrane. Sipas saj, të dyja vendet duhet të luftojnë së bashku për të mbrojtur ekzistencën e tyre.
Pas manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2020 në Bjellorusi, të cilat i dhanë mandatin e gjashtë burrit të fortë Alyaksandr Lukashenka, i cili ka drejtuar vendin që nga viti 1994, agjentët e sigurisë e detyruan Tsikhanouskayan të largohet nga vendi.
Që atëherë ajo jeton dhe punon në Lituani, duke lobuar në komunitetin ndërkombëtar që të mos e njohë Lukashenkan dhe duke u bërë fytyra globale e ambicieve demokratike të vendit të saj.
Tsikhanouskaya tha në një intervistë për Associated Press se “nuk do të ketë Bjellorusi të lirë pa Ukrainën e lirë”.
Lukashenka është një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka mbështetur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Moska.
Tsikhanouskaya tha se do të ketë kërcënime të vazhdueshme të sigurisë ndaj Ukrainës dhe kufirit perëndimor të Bjellorusisë, për sa kohë që Putini është në pushtet.
Ajo tha se asnjë vend nuk dëshiron të jetë pjesë e një perandorie tjetër ruse.
“Pra, Bjellorusia është pjesë e këtij problemi dhe ky problem, kjo krizë, duhet të zgjidhet në këtë kontekst”, tha ajo.
Sipas saj, Lukashenka duhej ta mbështeste Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, sepse Putini e mbështeti atë pas protestave masive kundër pretendimit të tij për fitore në zgjedhjet e manipuluara të vitit 2020./rel