“Ajo që kemi parë në procesin e dialogut nga kjo Qeveri tash e një vit që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë qenë jashtëzakonisht jotransparent”, tha përfaqësuesi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur për caktimin e ditës së enjte si ditë kur do të mbahet seanca parlamentare ku do ndër të tjera do të diskutohet edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, shkruan AA.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është shumë jotransparente në raport me procesin e dialogut dhe se ende që kur kryeministri Kurti është në krye të këtij procesi në palën kosovare nuk është parë ndonjë draft-marrëveshje nga ky proces.
“Ajo që kemi parë në procesin e dialogut nga kjo Qeveri tash e një vit që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë qenë jashtëzakonisht jotransparent. Sa ka qenë në opozitë Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar dhe kanë miratuar një rezolutë e cila i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës që të raportojë pas çdo takimi, ndërsa sot kur janë në pushtet raportime kemi pasur vetëm kur kemi kërkuar ne, jo kur kanë ndodhur takimet”, tha Tahiri.
Ai tha se procesi i dialogut nuk duhet të bëhet shkak për përçarjen politike në Kosovë, por, Qeveria duhet të ndajë dokumente para se ato të shtrohen në këtë proces.
Kreu i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se dialogu duhet të kalojë në një etape tjetër, që nënkupton përmbylljen e këtij procesi nga i cili sipas tyre “Kosova nuk ka pasur përfitim”.
Tahiri tha se epilogu i dialogut duhet të jetë njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë.
“Ky proces ka mobilizuar faktorin ndërkombëtarë. Tanimë kemi përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), atë të Britanisë së Madhe, ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian. Edhe Gjermania ka emëruar një përfaqësues të tyrin ndërsa Kosova po shkon në skaje, me tema të vogla, pa e adresuar çështjen thelbësore, e çështja thelbësore është marrëveshja finale që rezulton me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe krijon njohjen reciproke”, tha Tahiri.
Mbyllja e procesit të dialogut do ta kursente, sipas Tahirit, Qeverinë e Kosovës në kohë dhe punë të cilat po ja konsumon ky proces.
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila nuk ka komentuar mbi këtë çështje por vetëm ka bërë të ditur rendin e ditës që do të mbahet në seancën e së enjtes, ku po ashtu bëri të ditur se në seancë do të shqyrtohen edhe disa projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Më 22 shkurt, siç edhe është konfirmuar nga emisari special i Bashkimit Europian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.
Ai ka thënë se me kryeministrin Kurti në takimin në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Gjermani, kanë diskutuar për hapat e ardhëm të dialogut dhe takimin e kryenegociatorëve që do të ndodhë të martën.