Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se në Kuvendin e Kosovës ka kaluar buxheti në vlerë prej 3.3 miliardë euro, i cili u miratua pa prezencën e partive opozitare, teksa Kurti në ‘Facebook’, ka theksuar se buxheti edhe këtë vit është miratuar në muajin dhjetor.
Kurti ka njoftuar edhe se ku parashihet të shpenzohen këto të holla.
Postimi i plotë:
Kalon Buxheti për vitin 2024. Edhe këtë vit, për të tretin me radhë, buxheti miratohet në muajin dhjetor ashtu edhe siç duhet. Falënderoj deputetët dhe deputetet e Kuvendit të Republikës për votën, kontributin dhe mbështetjen e tyre.
Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35% më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend.