Partitë opozitare greke kritikuan prokurorin e Gjykatës së Lartë, Isidoros Dogiakos, pasi ka deklaruar se mbikëqyrësi i telekomit të vendit nuk mund të hetojë përgjimet.
Alexis Tsipras, kreu i partisë kryesore opozitare Syriza, shkroi në Twitter se opinioni ligjor i Dogiakos është jokushtetues sepse thotë se sipas ligjit të ri në fuqi, Autoriteti i Pavarur për Sigurinë dhe Privatësinë e Komunikimit (ADAE) nuk ka më kompetenca të informojë qytetarët nëse komunikimet e tyre janë përgjuar apo monitoruar për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai akuzoi prokurorin se po tenton të frikësojë jo vetëm zyrtarët e ADAE-së, por edhe këdo tjetër që kërkon prova në lidhje me skandalin e përgjimeve që ka tronditur skenën politike që nga vera e kaluar.
“Unë deklaroj se heq dorë nga imuniteti im si deputet, zoti prokuror, pres të më arrestoni!”, tha më tej Tsipras.
Partia Komuniste Greke (KKE) lëshoi një deklaratë ku thuhet se “i ashtuquajturi gjyqësor i pavarur” është formuar nga politikanët dhe si i tillë vepron si krah i qeverisë.
Michalis Kritridis, zëdhënësi i partisë së majtë MeRA25, tha se hapi i prokurorit “dëshmon thellësinë e rrënimit institucional të Greqisë”.
Nikos Androulakis, udhëheqës i Partisë PASOK, i cili është një nga protagonistët e skandalit të përgjimit, akuzoi kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe qeverinë të mërkurën se “kanë abuzuar brutalisht me institucionet në altarin e një mbulimi”.
– Skandali i përgjimit
Më 8 gusht, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pranoi se politikani i opozitës Nikos Androulakis ishte përgjuar nga agjencia e inteligjencës greke, por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
Skandali doli për herë të parë më 4 gusht, kur Panagiotis Kontoleon, në atë kohë kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (EYP), deklaroi para Komisionit parlamentar se Agjencia e Inteligjencës kishte spiunuar gazetarin financiar, Thanasis Koukakis.
Më 5 gusht, Kontoleon, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të zyrës së kryeministrit, Grigoris Dimitriadis, dhanë dorëheqje.
Hetimet parlamentare filluan pasi Androulakis u ankua te prokurorët e lartë për një përpjekje për të hakuar telefonin e tij celular me softuerin e spiunazhit Predator.
Kohët e fundit, “Documento” publikoi një listë me 33 persona të dyshuar të spiunuar nga EYP me urdhër të drejtpërdrejtë nga Dimitriadis, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias, zëvendësministrin e Mbrojtjes, Nikos Hardalias, ministrin e Zhvillimit, Adonis Georgiadis, ministrin e Punës, Kostis Hatzidakis, ministrin e Financave, Christos Staikouras, ish-kryeministrin Antonis Samaras, ish-ministrin e Rendit Publik, Michalis Chrysochoidis dhe ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Alexandros Diakopoulos.
Partitë opozitare për skandalin fajësuan kryeministrin grek, Mitsotakis, dhe kërkuan që qeveria e tij të shpallë zgjedhje të parakohshme, gjë të cilën ai e kundërshton.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po monitorojnë nga afër zhvillimet në lidhje me skandalin./FolDrejt/