Partia më e madhe e opozitës në Kosovë, LDK vazhdon të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti deklaroi sot se zgjedhjet janë të pashmangshme, sepse ka qenë një kohë të gjatë që parlamenti i Kosovës nuk ka qenë funksional.
“Ka gjashtë muaj që parlamenti i Kosovës nuk ka qenë funksional. Koalicioni qeverisës nuk ka më shumicë dhe qeveria nuk ka legjitimitet demokratik. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje për të rivendosur rendin demokratik “, tha Hoti.
Hoti gjithashtu theksoi se vendi po vuan pasoja të rënda nga kjo qeveri e cila, sipas tij, nuk ka ndonjë legjitimitet.
“Proceset kryesore në vend janë ndalur. Dialogu është në duart e një personi që vepron jashtë kompetencave të tij kushtetuese. Qeveria dhe institucionet e tjera u shërbejnë interesave të partive në pushtet “, tha Hoti./IBNA