Po vijojnë reagimet ndaj deklaratës së Ministrit Xhelal Sveçla. Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se këto deklarata tregojnë qëllimin e kësaj qeverie, ajo po e synon, sipas tij, përplasjen, transmeton Fol Drejt.
“Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj”, ka shkruar Krasniqi.
Ky është postimi i plotë:
Qeveria kërkon përplasje!
Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje.
Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj.
Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim.
Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla.
Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile.
Turp i madh! Fatkeqësi e madhe!
Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.
Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit.
Ftoj veteranët dhe të gjithë pjesëmarrësit sot në protestë për vetëpërmbajtje dhe qetësi. Mos bini pre e këtij orkestrimi antikombëtar!