Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se propozimi për targa neutrale erdhi nga ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak.
Shefi i qeverisë kosovare pas mbledhjes së qeverisë tha se nuk e din kush ia ka dhënë idenë Lajçakut, por siç tha ai, i ka thënë se nuk janë të pranueshme.
“Këto opsionet për targa neutrale karshi statusit të Kosovës kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësuesi Lajçak, tash unë nuk e di se kush ia ka dhënë idenë ndërmjetësit, unë ato i kam parë te ndërmjetësi, por ia kam shprehur qëndrimin tonë se nuk janë të pranueshme, madje edhe sipas vetë zotimeve të Serbisë. Shumë qytetarë serbë të vendit tonë kanë kaluar prej tabela të Serbisë në ato të Kosovës të kohës së UNMIK-ut dhe prej atyre në RKS. Kthimi mbrapa është padrejtësi ndaj tyre, përveçse nuk do të ishte në përputhje as me kushtetutën tonë as me ligjet tona”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.