Në një intervistë për radio lokale hungareze, kryeministri hungarez Viktor Orban preku çështjet aktuale botërore, luftën në Ukrainë dhe paralajmëroi edhe një herë se çfarë mund të ndodhë nëse ky konflikt përshkallëzohet, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
“Bota është më afër se kurrë që një konflikt lokal të kthehet në një luftë botërore”, tha kryeministri hungarez Viktor Orban për agjencinë MTI.
Ai tha për radion hungareze se liderët e botës perëndimore janë “kapur nga ethet e luftës”, se ata mbajnë fjalime duke bërë thirrje për fitore në luftë dhe dërgojnë armë gjithnjë e më të rrezikshme në Ukrainë.
“Në vend të promovimit të paqes në mënyrë unanime, bota është e ndarë,” tha Orban, duke shtuar se Turqia, Kina dhe vendet arabe e afrikane duan një armëpushim dhe bisedime paqeje. Ai shtoi se Hungaria duhet të ketë një ushtri të fortë dhe në të njëjtën kohë të promovojë paqen.
“Hungaria ka nevojë për një forcë të armatosur efikase dhe qeveria po punon për të rritur numrin e ushtarëve, përkushtimin e tyre ndaj atdheut dhe thirrjes, nivelin e tyre të trajnimit dhe reputacionin e tyre publik,” tha Orban.
“Fakti që jemi për paqen nuk do të thotë se duhet të jemi të pambrojtur”, shtoi kryeministri hungarez.
Ai njoftoi se Hungaria do të vazhdojë të vërë veton ndaj masave që do të shkaktonin “dëmin më të menjëhershëm” në ekonominë e saj.
“Nëse Bashkimi Europian do të hiqte nesër sanksionet kundër Rusisë, inflacioni do të përgjysmohej menjëherë dhe më pas do të kthehej gradualisht në 2-3 për qind”, beson Orban. /FolDrejt/