Përmes një postimi në facebook dhe disa fotografive të përbashkëta me rektorin e UP-së, Organizata per Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, e ka cilësuar si moment historik denondimin që rektori i UP-së, Naser Sahiti, ka bërë në lidhje me një rast plagjiati.
ORCA përmes këtij postimi ka kujtuar se kërkesën për denoncimin e plagjiatit të Selim Bezerajt ia kishin kërkuar edhe rektorit të mëparshëm, Marjan Demajt, por që i njëjti nuk e dërgoi asnjeherë në Këshillin e Etikës.
“Më 15 tetor 2018, pra para 4 vitesh, pikërisht në të njëjtin vend ku u bë fotoja e sotme, aktivistët Rron Gjinovci dhe Shkëlzen Gashi patën mbajtë konferencë për shtyp ku i patën drejtuar një kërkesë formale rektorit të atëhershëm Marjan Dema, që ta dërgojë Selim Bezerajn në Këshillin e Etikës për plagjiaturën e publikuar të tij. Ai nuk u dërgua kurrë në Këshill të Etikës. Plagjiatori Selim Bezeraj para 4 vitesh ishte veç një profesor, sot ai është anëtari më i votuar i Këshillit Drejtues nga Senati i UP-së. Megjithatë, sot pas 4 vitesh, rektori pasardhës Naser Sahiti e dërgoi në Këshill të Etikës plagjiatorin Selim Bezeraj. Ky është moment historik për integritetin akademik. Rektori i UP-së, dërgon rast për plagjiaturë në Këshillin e Etikës. Dhe jo këdo, por anëtarin më të votuar të Senatit në Këshillin Drejtues të UP-së.” – ka shkrua ORCA.
“Ndërkohë, sot në orën 2 mblidhet Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit. Këshilli Drejtues përbëhet prej 9 anëtarëve, 4 të dërguar nga Ministria dhe 5 nga Senati i UP-së. 5 anëtarët e Senatit e kanë filluar mandatin e tyre para 20 ditësh, më 1 tetor. Në mesin e 5 anëtarëve të dërguar nga Senati më të votuarit e tyre kanë qenë plagjiatori Selim Bezeraj dhe infamozi Rifat Krasniqi. Për ta shkarkuar rektorin duhen 6 vota. Pra, as përfaqësuesit e Senatit as ata të Ministrisë nuk mund ta bëjnë këtë pa një bashkëpunim. Kjo tregon që përfaqësuesit e Ministrisë në krye me Altin Sahitin që edhe e drejton këtë Këshill, kanë bërë pakt me selimët dhe rifatët për ta shkarkuar rektorin që denoncon publikisht plagjiaturën.
Sot ndahen ata që janë kundër plagjiaturës me ata që nuk janë. ORCA rreshtohet kundër plagjiaturës. Ne jemi kundër plagjiaturës, ata nuk janë.” – thuhet tutje./FolDrejt/