Tre organizata kryesore të të drejtave të njeriut në Gjermani njoftuan se qeveria nuk bën përpjekje të mjaftueshme në luftën kundër racizmit dhe të djathtës ekstreme.
Në një deklaratë të përbashkët nga Fondacioni “Amadeu Antonio”, Konferenca e Organizatave të Emigrantëve (BKMO) dhe Grupi i të Drejtave të Njeriut (BMB) thuhet se “Qeveria e koalicionit i merr seriozisht problemet. Por, nuk ka një koncept strategjik dhe shumë nga masat e përfshira në marrëveshjen e koalicionit ende nuk janë vendosur në zbatim”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratë thuhet se e djathta ekstreme dhe grupet e të djathtës ekstreme përbëjnë kërcënimin më të madh kundër demokracisë dhe sigurisë në Gjermani.
Më tej bëhet thirrje që të merren masa më të fuqishme për parandalimin e sulmeve që kanë në objektiv refugjatët, emigrantët, hebrenjtë dhe muslimanët në Gjermani. “Rreziqet që ka krijuar propaganda dhe dhuna e ekstremit të djathtë nuk janë pakësuar, përkundrazi janë rritur. Sulmet e fundit kundër strehimoreve të refugjatëve, janë vetëm një shembull i kësaj”, thuhet në deklaratë.
Nga qeveria kërkohet rritja e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile për të zhvilluar strategji të përbashkët për luftën kundër racizmit dhe miratimin e një “ligji të pjesëmarrjes” për të trajtuar problemin e racizmit strukturor./FolDrejt/