Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Mediave, bashkë me disa organizata, asociacione dhe sindikata për mbrojtjen e gazetarëve, i ka shkruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke bërë thirrje që ta ndalin menjëherë përdorimin e gjuhës diskredituese dhe denigruese që targeton gazetarët, të organizuar nga zyrtarët që janë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera shtetërore.
“Ne, organizatat e nënshkruara, bëjmë thirrje për t’i dhënë fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarë dhe individë të lidhur me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Në këtë letër përmenden edhe komentet e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu, drejtuar gazetarëve, njofton Klankosova.tv.
“Ditët e fundit, ne jemi shqetësuar nga mesazhet në rrjetet sociale, që vijnë nga politikanë dhe zyrtarë, që kanë shërbyer për të nxitur publikun kundër gazetarëve. Këto përfshijnë, për shembull, komentet në Facebook nga zëdhënësit dhe këshilltarët për media të Zyrës së Kryeministrit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, duke folur në emër të zyrave që përfaqësojnë, lanë të nënkuptohet se mediat u përpoqën ta minojnë pozitën e presidentes me raportimet e tyre. Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar, veçanërisht në Ballkan”, thuhet aty.