Organizatorët e çmimeve Oscar kanë refuzuar kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për t’iu drejtuar publikut gjatë ceremonisë së këtij viti, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Mike Simpson nga agjencia e talenteve WME gjithashtu u kërkoi organizatorëve që të lejonin Zelenskyn të fliste, gjë që ata gjithashtu refuzuan, raportoi revista Variety. Akademia Amerikane e Filmit nuk ka dashur të komentojë këtë informacion.
Kujtojmë se Zelensky nuk u lejua të paraqitet as vitin e kaluar. Prezantuesja Amy Schumer i sugjeroi atij që të bashkohej përmes video lidhjes, por sugjerimi i saj nuk u dëgjua.
“Doja të gjeja një mënyrë për të përfshirë Zelenskyn përmes satelitit, sepse kaq shumë sy janë te Oscars,” tha ajo në atë kohë. Çmimet Oscar do të mbahen të dielën mbrëma në Teatrin Dolby në Los Angeles.
Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar edhe Festivali i Filmit në Toronto (TFF) e refuzoi Zelenskyn. Zëdhënësi më pas tha se nuk do të bëjë më njoftime lidhur me këtë vendim. Megjithatë, ai shtoi se TFF është në anën e ukrainasve dhe se është krenar që regjisorët ukrainas kanë mundësinë të prezantojnë filmat e tyre atje. /FolDrejt/