Në Tiranë është organizuar konferenca jubilare për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Aktiviteti u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe nën kujdesin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet, Presidenti Begaj tha se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ishte një ngjarje kulmore në historinë kombëtare.
“Nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar. Kongresi i Drejtshkrimit mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë”, tha Begaj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se njësimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe standardizimi i saj është një nga ato procese historike që “për fatin më të madh të shqiptareve është përvijuar ngjashmërisht me proceset e njësimit të gjuhëve evropiane”.
“Kongresi porosit që duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen në të ardhmen që kur të jetë e nevojshme përmirësime dhe plotësimet e duhura”, tha Rama.
Një fjalë përshëndetëse në konferencë mbajti edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi, i cili theksoi se konferenca i kushtohet një ngjarjeje kyçe në historinë e kulturës kombëtare shqiptare.
“Kjo ngjarje e madhe historike ishte produkt i përgatitjes disa vjeçare, me pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë intelektualëve, veçanërisht të gjymëtarëve”, tha Gjinushi.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, si dhe drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt më 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë./FolDrejt/