Me moton “Qasja në kujdes ndaj Diabeti, nëse jo tani, kur?”, me organizim të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, në pëkrahje edhe nga Komuna e Vushtrrisë, është organizuar manifestimi në shënim të 14 nëntorit, Ditës Botërore të Diabetit.
Me këtë rast, Pranvera Zejnullahu-Raçi, u.d. drejtoreshë e përgjithshme e ShSKUK-së, tha se shënimi i kësaj dite është i një rëndësie të veçantë, pasi ka në fokus trajtimin e një patologjie shumë me rëndësi, siç është Diabeti Melit, transmeton Fol Drejt.
Ajo theksoi se kjo patologji prek 10% të popullatës në nivel global, me tendencë rritje, andaj paraqet problem dhe trajtimi në baza ditore është shumë i rëndësishëm.
Shefkije Shatri, drejtoreshë e Spitalit të Vushtrrisë, tha se spitali, krahas ofrimit të shërbimeve shëndetësore, në vazhdimësi po mbështetë kampanjat sensibilizuese, sikurse kjo e sotmja.
Dr. Edita Blakaj-Shala, endokrinologe dhe organizatore e këtij aktiviteti, deklaroi se diabeti është një nga sëmundjet kronike me rritje më të shpejtë në botë .
Sipas saj, verësohet që rreth 700 milionë të rritur në mbarë botën do të kenë diabet deri në vitin 2045.
Për rëndësinë e këtij organizimi foli edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili ofroi mbështetjen e Komunës për këtë aktivitet./FolDrejt/