Qindra njerëz u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë të hënën vonë për të protestuar kundër sulmit të Izraelit në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Demonstruesit, duke përfshirë OJQ-të dhe studentë të universitetit, mbanin flamuj palestinezë dhe brohoritën kundër presidentit Joe Biden ndërsa në duar mbanin pankarta ku thuhej “Larg duart nga Rafah”, “Biden: Rafah është në dorën tuaj-Ndaloni këtë masakër”, “Shpëtoni Rafahun”, “Ndaloni të gjithë ndihmën e SHBA-së për Izraelin”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Ushtria izraelite planifikon të nisë një ofensivë tokësore në Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë nga lufta, për të mposhtur atë që Tel Aviv i quan “batalionet e mbetura të Hamasit”. Ofensiva e planifikuar ka shkaktuar shqetësime për një katastrofë humanitare në qytet.
Në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, u vranë të paktën 28.340 njerëz dhe u plagosën 67.984 të tjerë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur brenda enklavës së bllokuar dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose të shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të përkohshëm tha se pretendimet e Afrikës së Jugut rreth çështjes të paraqitur në dhjetor ishin të besueshme.
Në vendimin e saj të janarit, gjykata urdhëroi masa të përkohshme për qeverinë izraelite që të heqë dorë nga aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar shpërndarjen e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.