Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, ka konfirmuar sot se të enjten më 2 shkurt do të mbahet seanca parlamentare, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa deputetët do të njoftohen për ecurinë e dialogut me Prishtinën, shkruan Danas, përcjell Fol Drejt.
Në TV Hepi, Orliq ka shfaqur një raport për ecurinë e procesit negociator, të cilin e ka dorëzuar Qeveria e Serbisë.
Kjo u është dorëzuar të gjithë deputetëve që të mos thonë se nuk kanë material për seancën e Kuvendit të së enjtes, e cila u paralajmërua shtatë ditë më parë, tha ai.
Do të ishte mirë që ata të tregojnë se e kuptojnë seriozitetin e momentit në të cilin ndodhet vendi dhe të sillen me përgjegjësi në atë seancë, të mbështesin raportin dhe të dërgojnë një mesazh që kuptohet nga të gjithë, si në Prishtinë ashtu edhe në botë, tha Orliq. /FolDrejt/