Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”. Në këtë ngjarje prezent ishin edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani ka uruar që fjalët “gratë” dhe “vajzat” të jenë sinonim i ngadhënjimit dhe suksesit. Ajo ka përmendur edhe rastet e dhunës në familje dhe papunësinë e lartë.
“Barazia gjinore janë parakusht e adresimit të të gjitha sfidave. Ne mund të arrijmë prosperitet vetëm atëherë kur mbrojmë të drejtat e tyre. Duhet të bashkohemi që të gjithë, që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, në rrugë. Nga fjalët tek vepra, hendeku vazhdon të jetë i thellë. Ky mbetet përkushtimi i jonë prioritar… Vajzat dhe gratë sulmohen, para se të respektohen gjithnjë ka një dyshim dhe pengesë. Gjithnjë ajo çfarë veshim është më e rëndësishme. Shpesh herë tentoj të mos i shpërfaq barrierat. Do të hasni edhe në shumë fjalë dhe paragjykime, nga të cilat do të kursehen kolegët e juaj burra”, ka deklaruar ajo, transmeton
E shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se organizimi i përbashkët institucional është e vetmja alternativë. Sipas tij, barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore.
“Gratë e bëjnë aktivizimin e dyfishtë. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, po ato punojnë gjithashtu për gratë. Krijimi i mundësive të barabarta është prioritet i yni në programin për barazi gjinore. Brenda këtij viti, kemi ndarë shtesat për 142 mijë fëmijë të porsalindur. Po punojmë që fëmijët e vegjël të rriten me vlera të përfshirjes dhe barazisë”, ka thënë Kurti.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se barazia gjinore është prioritet integral i Bashkimit Evropian.
E,kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia tha se gratë dhe vajzat vazhdojnë të ballafaqohen me paragjykime të ndryshme.
“Dhunimet seksuale ndaj grave ukrainase janë duke ndodhur. Lutemi dhe shpresojmë që lufta në Ukrainë të ndalet sa më parë. Ne besojmë që ka mundësi për paqe mes njerëzve”, tha ajo.