Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot manifestimin për shënimin e Ditës së Forcës. Aty u tha se FSK nga ruajtëse e paqes së brendshme po shndërrohet në faktor të rëndësishëm të ruajtjes së sigurisë globale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke uruar për Ditën e Forcës, tha se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohen vazhdimisht
Osmani tha se furnizimi me pajisje ushtarake, të dhuruara dhe të blera janë dëshmi se Kosova po i ndërton kapacitetet e nevojshme për vendin.
“Në kohën që ne po e zhvillonim ushtrinë me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes në rajon, po zhvillonte manovra me kërcënuesin tjetër global, Rusinë. Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme ngase është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit dhe familjes Jashari në luftën e UCK-së. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht”, tha Osmani.