Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se heqja e barrikadave është çështje orësh, ndryshe ka thënë ajo, nëse nuk hiqen, do të veprojnë institucionet e Kosovës.
Kështu ka deklaruar ajo në emisionin Rubikon, të Klan Kosovës, transmeton Fol Drejt.
“Pikërisht për shkak të koordinimeve dhe bashkërendimit me aleatët tanë, jam e bindur se është çështje orësh heqja e barrikadave dhe në qoftë se nuk largohen ato përfundimisht, natyrisht që duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë”.
“Janë vlerësime të institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, të cilat janë vlerësime të klasifikuara, të cilat pas një jave apo më shumë edhe do të mund t’i deklasifikojmë”.
“Por, për shkak se mund të rrezikohet jeta e policëve tanë, e ushtarëve të KFOR-it, e personelit të EULEX-it, e civilëve mbi të gjitha, unë s’mund tani t’i jap ato detaje”, është shprehur Osmani./FolDrejt/