Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Sali Çekaj, në 24 vjetorin e rënies.
24 vjet më parë ra heroikisht njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroi i kombit, Sali Çekaj.
Ai ra në fushëbetejën e Koshares, njërën ndër betejat vendimtare jo vetëm për ta thyer kufirin e egër që i ndante shqiptarët, por edhe mitin e rremë për pathyeshmërinë e forcave serbe.
Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.
Veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999. Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe.
Së bashku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë të tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak. Si komandant i Brigadës 134, la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe të betejave të saj për liri.
I përjetshëm kujtimi për të!/FolDrejt/