Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për njohjen reciproke, si hap i rëndësishëm në dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo edhe njëherë ka insistuar që Serbia të përcaktojë raportin e saj me Moskën, pra udhën që do të ndjekë, duke zgjedhur midis BE-së dhe pushtuesit rus, transmeton Fol Drejt.
Në një intervistë për CNN, e para e vendit tonë ka folur edhe për njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
Osmani ka kërkuar që Serbia të bëhet sa më parë e vetëdijshme për rëndësinë e njohjes reciproke.
“Njohja reciproke është hapi kryesor në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe Serbia sa më shpejt që e kupton këtë se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, do të jetë më e mirë për ta, marrëdhëniet tona dhe paqen e stabilitetin afatgjatë në rajon”, ka thënë Osmani.
E para e vendit ka folur edhe mbi anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë privilegj si faktor të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë në Kosovë, por edhe në rajon në përgjithësi, marrë parasysh situatën e fundit me agresorin rus.
“NATO do të jetë më e fuqishme vetëm me vende sikurse Kosova, e cila beson në të njëjta vlera dhe dëshiron të kontribuojë. Kjo është edhe arsyeja pse ne i kemi vendosur menjëherë sanksionet Rusisë pas invazionit në Ukrainë”, ka thënë Osmani.