Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në 100-vjetorin e themelimit të lëvizjes Paneuropa në Vjenë.
Në fjalimin e saj, Osmani është shprehur se Kosova është Evropë dhe se të jesh Kosovar do të thotë të jesh evropian.
Ajo njëkohësisht ka thënë se Kosova ka ndjerë miqësinë dhe mbështetjen nga Paneuropa duke përmendur kështu kontributin e Otto von Habsburg në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.
“Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Ne e kemi ndjerë miqësinë dhe mbështetjen nga Paneuropa në kohët tona më të vështira, në vitet e 90-ta, kur Otto von Habsburg, një mik i madh i presidentit Rugova dhe një mik i madh i popullit tonë, u bë një nga zërat më të fortë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë”, ka thënë Osmani.
“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të ripërsëritur një mesazh për të gjitha shtetet anëtare evropiane. Është koha e fundit që Evropa t’i hapë dyert dhe zemrën evropianëve më të rinj për kosovarët, duke i thënë “PO” liberalizimit të vizave në këtë kohë vendimtare do të thotë të hedhim hapin përpara dhe t’i bashkohemi Evropës”, është shprehur ajo tutje./FolDrejt/