Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Malit të Zi me ftesë të homologut të saj, Milo Gjukanoviq, shkruan Fol Drejt.
Lajmin e konfirmoi Zyra e Presidencës, në komunikatën e së cilës thuhet se gjatë vizitës në shtetin fqinj, Presidentja Osmani do të zhvillojë takim me Presidentin Gjukanoviq, ku përveç konfirmimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore, do të diskutohet edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
“Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit. Në Ulqin, Presidentja Osmani përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës. Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova.”, thuhet në fund të komunikatës së Zyrës së Presidencës. /FolDrejt/