Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk ka rrezik që komunat me shumicë serbe të fitojnë autonomi në bazë të marrëveshjes së arritur në Ohër, e cila parasheh themelimin e një komuniteti të komunave serbe, përcjell Fol Drejt.
Ajo ka theksuar për RTV21 se ka edhe tendenca të tilla, që nuk do t’i lejonte.
Osmani ka thënë se në asnjë moment nuk do të lejojë të dalë jashtë fushëveprimit të Kushtetutës së Kosovës, e as edhe përtej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila përcakton parametrat për të drejtat e serbëve dhe organizimin e tyre në Kosovë.
Ajo shtoi se delegacioni i Kosovës është duke punuar në përcaktimin e detajeve në lidhje me nenin 7, i cili parasheh formimin e Asociacionit, por shtoi se gjithçka bazohet në parimet që tashmë janë vendosur.
“Duhet të përmend edhe qëndrimin amerikan, i cili është vendosur me shkrim dhe që ndër të tjera është një udhërrëfyes shtesë në hapat përpara”, theksoi Osmani.
Për rikujtim, Osmani ka përsëritur vazhdimisht se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një procesi që kontribuon për paqen afatgjatë, sigurinë dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajon.
Ajo theksoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të rënë dakord në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht të pacenueshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. .
Osmani tha se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët, ndërsa fjalën përfundimtare për marrëveshjen duhet ta kalojë Kuvendi i Kosovës, në përputhje me procedurat kushtetuese. /FolDrejt/