Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, deklarohet për herë të parë publikisht pas aktit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit.
Kjo ngjarje pritet të ketë ndikim edhe në procesin e dialogut ku presidentja Osmani ka hedhur si ide që dialogu të vazhdojë me SHBA-në. Ndërkohë derisa tashmë është konfirmuar nga autoritetet shtetërore të Kosovës se nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojqiq ishte udhëheqës i grupit terrorist, Osmani ka thënë se së shpejti priten vendime institucionale ndaj Listës Serbe.
Presidentja e vendit për situatën në veri të vendit, pas aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ra heroikisht rreshter Afrim Bunjaku, tha se pa asnjë dyshim ishin të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi, të cilat kishin për synim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
“Ka një kohë të gjatë që kam folur brenda dhe jashtë Kosovës për rrezikun që paraqesin këto grupe, të cilat që një kohë të gjatë janë trajnuar nga ushtria e Serbisë. Këto janë kryesisht struktura te natyrës paramilitare, të cilat janë të armatosura rëndë me mjete ushtarake, janë të përgatitur që të luftojnë në stilin ushtarak dhe ka një kohë të gjatë që kanë sjellë edhe armë në mënyrë ilegale në veri të Kosovës e që kulmoi edhe me sulmin e para disa ditësh, të cilin, në përmasat që ishte planifikuar, e parandaloi Policia e Kosovës me profesionalizmin dhe përgatitjen e saj”, teksa shprehu mirënjohjen e thellë për punën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në mbrojtjen sovranitetit, mbrojtjen e dinjitetit të shtetit tonë, por mbi të gjitha mbrojtjen çdo qytetari të Kosovës pa dallim etnie nga këto grupe kriminale dhe terroriste .
Sipas saj me rendësi është që të gjitha institucionet e sigurisë dhe institucionet publike të punojnë pa reshtur që të parandalohen sulme të tilla në të ardhmen.
“Por është e domosdoshme që të kemi edhe bashkë rendim të vazhdueshme me aleatët tanë të cilët janë edhe garant të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë”, shtoin presidentja e vendit, në RTK.
Osmani: Policia e Kosovës, e koordinuar me partnerët tanë
Ndërkaq lidhur me vijimësinë e ashpërsimit të situatës, e para e vendit u shpreh se një shtet i cili akoma udhëhiqet nga mbetjet e Millosheviqit, “natyrisht që ne duhet të presim që ata t’i ashpërsojnë mjetet e të cilat i përdorin kundër vendit tonë”.
“Kjo nënkupton që në këtë situatë të rëndë që ne po përballemi duhet të kemi unitet maksimal përbrenda vendit tonë, pavarësisht përkatësive politike etj., se duhet të gjithë te jemi me një zë dhe me veprime të përbashkëta në kundërshtimin e veprimeve të tilla të Serbisë, sepse vetme kështu ne i japim përkrahjen e institucioneve të sigurisë, të cilat në fakt po mbajnë barrën më të madhe për mbrojtjen e sovranitetit tonë dhe e meritojnë që ne, si politikë, të flasim me një zë në mbrojtje të Kosovës.
Presidentja Osmani më tej bëri të ditur për takimin e saj me liderët partiakë dhe me shefin e AKI-së, si dhe me institucionet tjera të sigurisë, sipas të cilës që nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, ajo është koordinuar me partnerët tanë, që të gjithë të japin përkrahjen e nevojshme vendit tonë dhe shprehur nevojën e unitetit brenda institucionalë, politik e shtetëror.
“Policia jonë, djemtë dhe vajzat tona që po e rrezikojnë jetën për vendin tonë meritojnë që ne të gjithë te jemi një zëri në mbrojtje të Kosovës, prandaj sot i kam ftuar liderët e partive kryesore opozitare të Kosovës”, tha për RTK Osmani.
Ndërkaq lidhur me (mos)pjesëmarrjen e Radojçiqit në këtë sulm, presidentja Osmani tha se deri me tani nuk kemi parë ndonjë mohim të presidenti Vuçiq për pjesëmarrjen apo jo të Radojçiqit në këtë sulm.
“Mendoj që secili veprim dhe deklaratë e presidentit të Serbisë, nga sulmi e deri me sot, vetëm sa e ka konfirmuar involvimin direkt të tij dhe të gjitha strukturave shtetërore të Serbisë në sulmin që ka ndodhur kundër Kosovës dhe qytetarëve tanë”, shtoi Osmani.
Osmani: Lista Serbe mjet i Vuçiqit, për të luftuar paqen e sigurinë në rajon
Lidhur me detyrat e Listës Serbe, si parti e komunitetit serb në Kosovës, presidentja Osmani tha se është për keqardhje që Lista Serbe në vend se të ishte një parti e cila do të luftonte për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, në përputhje me standarde më të larta evropiane, që janë të mishëruara në Kushtetutën tonë, është shndërruar në një mjet të Vuçiqit, për të luftuar paqen e sigurinë në rajon, që më së paku u shkon për shtati qytetarëve serbë në Kosovë.
“Në fakt ata janë më së shumti të terrorizuar nga elementet kriminale. Janë pikërisht grupe të njëjta kriminale që kanë vrarë politikanin Ivanoviq, që kanë kryer sulme dhe kidnapime të serbëve të veriut; kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët kosovarë e tani janë po këta që sulmuan Policinë e Kosovës. E Lista Serbe në vend se të distancohej nga veprimet e tilla, që janë kundër interesave të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, ata janë pjesë e sulmeve të tilla.
Osmani tha se strukturat kriminale kanë kryer një akt jo vetëm kundër Kosovës, që destabilizon në tërësi rajonin, por edhe kundër vetë prezencës së NATO-s.
E për situatën në veri të vendit, tani pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, kanë reaguar vendet e BE-së, si dhe SHBA-ja.
Osmani: Nga çka të përmbahet Kosova, nga vetëmbrojtja? Lidhur me deklarimet nga Brukseli zyrtar, e para e shtetit u shpreh se derisa sulmet e tilla tentohen të vendosen në suazën e barazimit të palëve mendoj që fare nuk e ndihmon situatën, përkundrazi, inkurajon ata që kanë përdorur dhunë të përsërisin atë veprim.
“Kam paralajmëruar në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, javë përpara se të ndodhtë ky sulm, në fillim të shtatorit, dhe tani shpresoj shumë që partnerët tanë ta marrin parasysh faktin që nëse veprimet në raport me Serbinë nuk janë të qarta, atëherë kjo do të inkurajojë edhe strukturat shtetërore serbe që të vazhdojnë me destabilizimin e rajonit, por edhe strukturat kriminale që të rrisin dhunën edhe ndaj qytetarëve, që jetojnë në veri, por edhe kundër strukturave tona të sigurisë, si dhe kundër NATO-s”, deklaroi Osmani në RTK.
E për kërkesën nga qarqet e BE-së që Kosova të përmbahet nga veprimet e mëtejme, presidentja Osmani bëri pyetje se “nga çka të përmbahet Kosova, nga vetëmbrojtja?”, derisa sqaroi se djemtë e vajzat tona e mbrojnë sovranitetin e vendit e mbrojnë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie dhe kufijtë e vendit tonë.
“Qe 12 vjet dialog , pavarësisht që Kosova vazhdimisht ka zbatuar marrëveshjet, Serbia nuk i ka zbatuar mbi 50% të atyre dhe ka rritur intensitetin e dhunës. Pavarësisht se ka premtuar se do t’i shuaj të gjitha strukturat e sigurisë, ja tani ato po kryejnë sulme terroriste ndaj qytetarëve tanë dhe në qoftë se tani thuhet: “Të dyja palët”, ky do të ishte një inkurajim për Serbinë.
Por ne do ta gjemë rrugën përpara, bashke me partnerët tanë. Në këtë rrugë me sfida tejet të rënda neve na duhen ata në krah, sepse kjo është garanca e suksesit.
Osmani: Nga BE-ja presim masa jashtëzakonisht të ashpra ndaj Serbisë
Ndërsa për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Osmani tha se është një qasje totalisht e pabalancuar e cila e dëmton rëndë dialogun, sepse në çdo proces ndërmjetësimi, parimi bazik është ai i barazisë ndërmjet palëve, parim i cili është paraparë edhe në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Ohrit.
“Mirëpo, në qoftë se vazhdohet me këtë qasje të pabalancuar, ku Kosova duhet të vuajë masat e vëna nga BE për shkak të një veprimi, i cili ka qenë brenda territorit, Policia e Kosovës nuk ka përdorur dhunë, thjeshtë, ka kryer një detyrë të saj kushtetuese, gjë që, si presidente e vendit mendoj se është dashur të koordinohet me partnerët tanë në mënyrë që të jetë shumë më i suksesshëm, që të mos lëndohet besimi, por megjithatë është veprim brenda territorit tonë, në përputhje me Kushtetutën tonë. Veprim që nuk krahasohet me veprimet e Serbisë ndaj nesh, që është akt agresioni, akt që ka marrë përmasa tragjike, kështu që ajo që dua të them është se secili shtet, anëtarë të BE-së, e aleati tjetër SHBA, i kanë procedurat e veta për konfirmimin e informatave, sa i përket situatës në veri dhe ne presim që ndaj Serbisë të ketë masa jashtëzakonisht të ashpra, sepse ky është një akt jo vetëm kundër Kosovës, por një akt që destabilizon në tërësi rajonin dhe akt kundër vetë prezencës së NATO-s”, tha presidentja Osmani, derisa shtoi se masat e vëna kundër Kosovës duhet të hiqen për faktin e thjeshtë se janë plotësuar kërkesat që i kanë vënë Kosovës dhe nuk ka arsye që qytetarët e tanë të ndëshkohen më.
Kurse për zgjedhjet në veri të vendit, presidentja e vendit bëri të ditur se nuk ka mospajtim me ndërkombëtarët nëpërmjet peticionit, derisa metoda e preferuar e tyre është me dorëheqje, por preferenca është çështje tjetër, “mirëpo mundësitë janë aty , dy parashihen me ligjin tonë dhe që të dyja kanë qenë të përkrahur nga partnerët tanë si mundësi për organizmin e zgjedhjeve të reja. Kjo mbetet në dëshirën e qytetarëve serbë atje, nëse duan zgjedhje të reja le të urdhërojnë, mundësitë ligjore i kanë”, ndërsa sqaroi se përmes peticionit është mënyra më e mirë, sepse, sipas saj, do të mund të siguroheshin se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe që vetë procedura fillon nga ata, buron nga ata, nëpërmjet kërkesës të 20 përqindëshit të popullatës.
Osmani: Duhet të ulemi me ShBA-në dhe të përgatisim draftin për Asociacionin
E lidhur me dialogun, presidentja e vendit tha se ndonëse po krijohet përshtypja se dialogu nuk është duke ndodhur dhe po bëhet thirrje për t’u kthyer në dialog, derisa shtoi ajo, dialogu është duke ndodhur.
Ajo tha se kryeministri i vendit ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë në dialog sa herë ka ftesë nga BE për dialog.
Për arritjen e marrëveshjes, presidentja e vendit tha se marrëveshje ka, por që duhet zbatuar ato, teksa shtoi se ajo marrëveshje nuk është perfekte për Kosovën, ka disa gjëra të mira e disa që ka dyshimet e saj por që është marrë obligim për të zbatuar ato, theksin e vuri te neni 7 dhe 10 i marrëveshjes.
“Zgjidhja është se ne duhet të ulemi me SHBA, të përgatisim draftin tonë, ta prezantojmë para Sekretarit të shteti amerikan që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhej me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhe me letrën e Mogerinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan nga Chollet e Escobar, të cilët sqarojnë se një trup i tillë do të jetë trupo koordinues dhe si e tillë nuk do ta rrezikonte funksionalitetin e brendshëm të Kosovës e as aspektet tjera kushtetuese të vendit tonë”, deklaroi mes tjerash Osmani në RTK.
Osmani mesazh BE-së: Të mos jemi neutral ndaj krimit
Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë se sa do të jetë efektive, e para e vendit nuk deshi të paragjykonte por se u shpreh e gatshme që me partnerët ndërkombëtarë të diskutojë me mendje të hapur, të ofrojë konstruktivitet deh zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet vendi ynë.
“Por ajo që është e ditur, ne presim që emisari Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë Borrell, si dhe të gjitha institucionet e BE-së të vazhdojnë ta dënojnë mënyrën më të ashpër këtë akt agresioni dhe akt terrorist kundër Republikës së Kosovës, që është e organizuar dhe ekzekutuar nga ana e Serbisë”, deklaroi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke shtuar se presim që të propozohen edhe masa ndaj Serbisë.
Osmani: Kemi një besim të plotë si institucione
Lidhur me dialogun për vazhdimin e saj në korniza të njëjta si deri më tani, apo më ndryshe, presidentja e vendit u shpreh se pala kosovare në procesin e dialogut duhet të mbrojë qëndrimet e shteti të Kosovës, derisa tha se qasja e dialogut duhet të ndryshojë në dy aspekte: e para duhet të ndryshojë qasja e ndërmjetësve, sepse mungon parimi i zbatimit paralel, ndërsa e dyta është involvim më i drejtpërdrejtë i SHBA-së dhe koordinim me i fuqishëm me ta sa i përket qëndrimeve tona në procesin e dialogut.
“Unë nuk shoh rrugë tjetër, thjeshtë kjo ka qenë rruga e suksesit gjithnjë”, tha Osmani, derisa përmendi një varg suksesesh të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
E lidhur me involvimin e presidentes Osmani në dialog ajo përmendi se e ka bërë të qartë se sa i përket kësaj çështjeje e ka bërë më të qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në të cilin thuhet se dialogun e udhëheqë kryeministri i vendit, natyrisht në konsultim të vazhdueshëm me presidenten.
Presidentja Osmani tha se koordinimi i saj me kryeministrin e vendit është i vazhdueshëm dhe kryeministri është i gatshëm që në këtë proces të ketë një gjithpërfshirje, ku do të inkuadroheshin jo vetëm partitë politike parlamentare, por edhe OJQ-të.
Lidhur me dallime a ngjashmëri në procesin e dialogut, presidentja e vendit tha se në një situatë çfarë është vendi ynë, është në interes të shteti dhe të qytetarëve tanë që institucionet shtetërore të jenë në koordinimin të plotë, derisa shtoi se kanë pasur dallime, por për interesin e qytetarëve ato janë tejkaluar, “janë përpirë”.
“Dallimet i diskutojmë dhe i tejkalojmë për interes të vendit dhe të qytetarëve”, tha e para e shtetit.